Basketbollisti Dardan Berisha së fundi ka vendosur që të largohet nga klubi i basketbolli Peja për t’iu bashkuar Sigal Prishtinës.
Ky transferim bëri bujë të madhe në basketbollin vendor pasi Berisha është njëri nga basketbollistët më të spikatur që e ka ky sport në vendin tonë.
Largimi i tij nga KB Peja Berisha thotë se erdhi pas një marrëveshje të dyanshme, por që sipas tij disa gjëra kanë mbetur ende pa u definuar mes tyre, derisa shton se me Prishtinën kanë ambicie të mëdha.
“Ambiciet e klubit, me Pejën i kemi arritur synimet tona. Me marrëveshje dhe me mirëkuptim të dyanshëm jemi ndarë. Po besoj që të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pa u definuar do të kryhen, por thjeshtë e kemi parë të arsyeshme edhe unë edhe ata për ta shkëputur kontratën kështu që i vetmi klub që kisha pasur dëshirë me ardhur u kon Prishtina. Unë vetëm në Prishtinë dhe Pejë kam luajtur në Kosovë kështu që kjo është shtëpia ime, kam luajtur pesë vite këtu, i di të gjitha dhe projekti i Prishtinës shumë i mirë, ambicien edhe në garat ndërkombëtare edhe këto vendore. Prishtina dëshiron të kthehet aty ku e ka vendin dhe për këtë arsye edhe kam ardhur dhe po besoj që ambiciet e klubit do t’i arrijmë”, tha Berisha.
Te Sigal Prishtina risi ka edhe sa i përket trajnerit. Në krye të klubit ka ardhur Ekrem Memnun për të cilin Berisha thotë se ka shumë eksperiencë dhe se do t’i jap shumë klubit.
“Tepër i mirë, trajneri është me eksperiencë, normal tani edhe unë kam disa vite eksperiencën mund t’i ndihmojë edhe trajneri në parket me lojtarë kështu që e kemi një bashkëpunim tepër të mirë dhe po besoj që ajo do të vazhdojë. Do të na ndihmoj shumë trajneri që ka ardhur, është shumë serioz edhe po punojmë shumë mirë kështu që po besoj që shumë shpejtë do të kompletohet ekipa dhe të përgatitemi për garat tani si këto vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, theksoi Berisha.
Madje Berisha thotë se te Prishtina ka ardhur edhe për t’i ndihmuar lojtarët e rinj dhe ata të huaj që do të vijnë.
“Për ata edhe kam ardhur, të iu ndihmojë lojtarëve të rinj por edhe motivi im definitivisht është rritur këtu, kështu që kjo është ndihme të për të gjithë, edhe për mua edhe për lojtarët e rinj edhe për klubin po besoj kështu që do të mundohem ta jap maksimumin për ta ndihmuar edhe trajnerin edhe lojtarët që do të vijnë të huaj, edhe të rinjve. E di çfarë pret Prishtina, edhe ligën e Kosovës e di edhe këto ndërkombëtaret njëjtë kështu që po besoj që të gjithë janë në plus me këtë transferimin tim në Prishtinë”, tha ai.
Reprezentuesi kosovar parasheh luftë të ashpër për titull në edicionin e ri garues të Superligës së Kosovës.
“Do të jetë e forte, kjo është shumë e mirë për basketbollin, konkurrenca është në rritje. Janë ekipet që janë përforcuar dhe janë shumë më serioze se sa kanë qenë kështu që kjo është e mira edhe për basketbollin e Kosovës edhe për konkurrencën edhe për tifozët do të mbushen në secilën sallë dhe do të jetë atmosfera që basketbolli di ta jap në sportin e Kosovës. Lufta do të jetë shumë e ashpër, por po besoj që në fund do ta arrijë ai që është më i përgatituri dhe ekipa ma e mirë do të fitojë”, tha në fund Berisha.
Shumë i lumtur me ardhjen e Berishës në klub u shpreh edhe trajneri Ekrem Memnun i cili tha se eksperienca e një lojtari si Dardan Berisha ishte duke i munguar shumë klubit.
“Dardani është me ne, ai ka një talent dhe eksperiencë të madhe dhe mendoj që ai do të sjellë shumë eksperiencë, talent dhe lidership në klub dhe kjo është ajo që na mungonte neve dhe jam shumë i lumtur për mënyrën se si ai po bashkëpunon me ne dhe unë dhe kam pritje shumë të mëdha dhe besoj që së bashku do të krijojmë gjërat të mira”, tha Memnun.