Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial, kanë finalizuar strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë. Ky akt u konsiderua si fuqizim i sundimit të ligjit që fokus të veçantë do të ketë luftën kundër korrupsionit dhe procesin e Vettingut.
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi përmes një konference për medie tha se me këtë plan po ndodh reforma në drejtësi, e cili do t’i mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm.
“Pas shumë viteve punë, reforma në drejtësi po ndodh. Po ndodh sot, pasi është finalizuar strategjia e rishikimit funksional. Sot kemi përpiluar planin pesëvjeçar të rishikimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, fuqizimit të sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Një plan që do t’i mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, do t’i mbrojë ata që çdo ditë e sjellin drejtësinë në Kosovë. Suksesi dhe rezultatet e tyre na kanë bërë të jemi të parët në shtetet fqinje në sundim të ligjit”, tha ai.
Ndërsa, Bahri Hyseni nga Këshilli Prokurorial tha se rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë do të ketë objektiva kryesore fuqizimin e gjyqësorit, prokurorisë dhe fuqizimin e drejtësisë penale dhe qasjen në drejtësi.
“Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial ka qenë objektiv kryesor i Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve tjerë që kanë marrë pjesë. Fuqizimi i sistemit të drejtësisë penale, një prej segmenteve shumë të rëndësishme. Pastaj i qasjes në drejtësi si një prej komponentëve kryesor dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion për të cilën për çdo ditë po bëjnë të rrisim nivelin e angazhimit”, u shpreh ai.
E zbatim praktik të kësaj strategjie kërkoi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, i cili tha se për të njëjtën duhet edhe ndarje buxhetore për realizimin e saj.
“Ky dokument duhet të jetë i zbatueshëm dhe praktik. Të ketë objektiva dhe aktivitete të qarta të zbatueshme. Duke ditur rëndësinë e kësaj strategjie, është e një rëndësie të veçantë që të ndahen mjetet buxhetore për realizimin e saj”, tha ai.
Hartimin e strategjisë të rishikimit funksional të drejtësisë e përkrahën dhe përshëndetën ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë, si dhe Zyra e BE-së.