Legjenda e Manchester United, Rio Ferdinand ka thënë që N’Golo Kante është lojtari më i çmueshëm evropian duke njohur rëndësinë që ka për skuadrën e tij, Chelsea dhe për Kombëtaren e Francës.
Mesfushori francez ishte lojtar kyç në fitoren e Ligës së Kampionëve me blutë e Londrës, ku përpos suksesit ekipor, ai arriti të marrë rrugës edhe çmime individuale si lojtari i ndeshjes në dy përballjet gjysmëfinale kundër Real Madridit dhe në finale kundër Manchester City.
Tani, Ferdinand ka treguar që shpresat e Francës për triumf në këtë Euro 2020 varen nga Kante, të cilin e cilësoi si lojtarin më të rëndësishëm të këtij kampionati.
“Pa dyshim që mund të them që ai është lojtari më i dobishëm në këtë kampionat, për të mos thënë në të gjithë Evropën. Ai të befason me lojën e tij. Janë disa elemente të lojës së tij, ku ai paraqitet prej askund sepse është shumë i shpejtë. Ai është lojtari më i vlefshëm”, shtoi legjenda angleze e Manchester United.
Kante ka formuar një partneritet të jashtëzakonshëm me Paul Pogban në zemër të mesfushës së Francës. Në 30 ndeshjet në të cilat kanë qenë të dy titullarë nga minuta e parë, Franca nuk ka humbur asnjëherë.