UBT News

​Federata e Boksit: U diskriminuam, jemi të zhgënjyer

Federata e Boksit të Kosovës ka reaguar për herë të parë pas konfirmimit të lajmit se Donjeta Sadiku nuk do të udhëtojë drejt Indisë për shkak se nuk është pajisur me vizë nga ky shtet.

Në komunikatën për media, ata thonë se përkundër tentimeve të vazhdueshme për të marrë vizën nga shteti i Indisë, edhe pse u dha drita e gjelbër, për të na u mundësuar marrja e vizës në Sofje të Bullgarisë, prapë se prapë ky shtet vendosi kushte të reja.

Tutje, Federata e Boksit konfirmon se përkundër gatishmërisë së ekipit që të udhëtojë drejt New Delhit, të martën, edhe pse me vonesë, pasi nuk do ta arrinin tërheqjen e shortit, vjen lajmi tjetër nga Ministria e Jashtme e Indisë dhe organizatori i Kampionatit. Në informatën e tyre, vihen dy kushtet e pjesëmarrjes së medalistes së bronztë të botës dhe Evropës në këtë botëror, të cilat lidhen kryekëput me çështje politike, si në vijim:

a) Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror

b) Pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre ose edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Andaj, bazuar në kushtet e vëna, dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBoxk, në koordinim me MKRS-në dhe KOK-un, kanë vendosur që ekipi të mos udhëtojë fare drejt New Delhit të Indisë.

“Për ne si federatë, por edhe për boksieren, e cila ishte favorite për të fituar sërish medalje, është zhgënjim i madh, sidomos me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (IBA), e cila lejoi që për herë të tretë i njëjti vend të diskriminojë boksieren tonë, duke ia mohuar pjesëmarrjen me të drejta të barabarta si sportistët tjerë”, thuhet në reagimin e Federatës së Boksit të Kosovës.

Exit mobile version