Surpriza e Ligës së Kampionëve në këtë edicion është padyshim Villarreali i Unai Emery. Spanjollët kanë eliminuar Juventusin dhe Bayernin dhe tashmë janë gati të përballen me Liverpoolin në gjysmëfinale.
Para kësaj ndeshje, e cila zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 21:00, Emery ka thënë se skuadra e tij do ta respektojë kundërshtarin, por shton se ata janë të gatshëm të hedhin një tjetër hap përpara.
“Kjo nuk është gjysmëfinalja e parë evropiane që po përgatitemi. Krahasuar me Ligën e Evropës, ndeshja kundër Liverpoolit përfaqëson një hap përpara, por qëllimi është gjithmonë i njëjti, të përmirësojmë cilësitë tona dhe të respektojmë kundërshtarin”, ka thënë Emery.
“Nëse kemi arritur deri në këtë pikë, është sepse e kemi merituar. Entuziazmi nuk ka munguar kurrë. Ne ëndërrojmë, por për t’i realizuar ëndrrat duhet të shoqërohen me përpjekje dhe këtë e dimë që në fillim të sezonit. Një lojë e tillë luhet për të hedhur një hap tjetër. Përpara dhe vetëm përpara “, ka shtuar ai.
“Ne kemi reflektuar për këtë dhe kjo na shtyn të besojmë se ideja e duhur është të shkojmë në “Anfield” dhe të luajmë për të fituar dhe të parandalojmë Liverpool-in të tregojë versionin e tyre më të mirë.”
Në mbyllje, Emery foli edhe për të ardhmen dhe nuk e përjashtoi mundësinë që ta drejtojë ndonjë skuadër italiane.
“Nuk kam qenë kurrë trajner në Serinë A dhe për sa i përket të ardhmes, çfarë do të jetë e mundur. Jam i hapur ndaj çdo hipoteze sepse futbolli vazhdon të më bëjë të ndihem i gjallë”.