Paulo Dybala do të luajë për Romën në edicionin e ri të Serie A pasi lojtari ka arritur marrëveshje me klubin verdhekuq.
Negociata u zhbllokuan në orët e hershme të mëngjesit të së hënës pasi lojtari i dha fund pritjes për Interin. Pas po-së së shqiptuar gjatë natës, “La Joya” mbërriti në Portugali, në shoqërinë e Tiago Pinto-s.
Argjentinasi, zgjodhi t’i jepte fund ngërçit rraskapitës mbi të ardhmen e tij dhe i tha po José Mourinhos. Ish-lojtari i juventusit do të kryejë së shpejti kontrollet mjekësore përpara se të fluturojë drejt kryeqytetit, ku do të nisë aventura e re profesionale.
“Jam shumë i lumtur”, ishin fjalët e para të Dybalas, ndërsa i pyetur për numrin e fanellës, ai tha: “Do të flasim për këtë”.
Kontrata e Dybalas me Romën raportohet se do të jetë trevjeçare me 6 milionë euro në sezon.