Dy ngjarje shumë të rëndësishme do ta shënojnë ditën e sotme në sportin vendor e që kanë të bëjnë me basketbollin dhe xhudon.
Kombëtarja e Kosovës në Basketboll do të ballafaqohet sonte me Luksenburgun, njërën nga dy ndeshjet vendimtare të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023. Kjo sfidë zhvillohet sonte me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Trajneri Kristos Marmarinkmos i ka ftuar këta 12 lojtarë për këtë ndeshje shumë të rëndësishme: Divine Myles, Valon Bunjaku, Mikaile Tmusiq, Dardan Berisha, Erjon Kastrati, Denis Zenelaj, Meriton Ismaili, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Alban Veseli, Fisnik Rugova dhe Urim Zenelaj.
Ndeshja tjetër është ajo kundër Sllovakisë që zhvillohet më 20 shkurt nga ora 19:00. Nga ana tjetër, ekipi kosovar i xhudos nga 18 deri më 20 shkurt merr pjesë në Grand Slam-in e xhudos në Tel Aviv të Izraelit dhe përfaqësohet nga xhudistët Majlinda Kelmendi, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu.
Majlinda Kelmendi garon sot në kategorinë 53 kilogramë, kurse Gjakova dhe Fazliu do të garojnë të premten.