28 janari shënon Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, njohur si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë. Kjo ditë është pjesë e së drejtës në privatësi, si një nga të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.
Nevoja për të mbrojtur të dhënat personale është një shqetësim në rritje në shoqëritë informative bashkëkohore të cilat karakterizohen me zhvillime teknologjike. Përderisa individët duhet të mbrohen nga mbledhja e padëshiruar, përdorimi dhe transferimi i të dhënave të tyre nga palët e treta, kjo nuk duhet të pengojë në rrjedhën e lirë të informatave që është e nevojshme për të nxitur debatin lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm në shoqëritë demokratike.
Nenet 8 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbështesin të drejtën për respektimin e të drejtës për jetën private dhe të drejtën për lirinë e shprehjes dhe kërkojnë një drejtpeshim të duhur mes tyre në raste konflikti. Para 40 vitesh, Konventa 108 e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Individëve lidhur me procesimin automatik të të dhënave personale ishte traktati i parë ndërkombëtar që përcaktoi standardet në këtë fushë, duke formësuar kështu mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave në Evropë dhe më tej.
Në vitin 2018, u miratua një protokoll amandamentues për të modernizuar Konventën (i njohur si Konventa 108+) në mënyrë që të trajtojë sfidat të cilat rezultojnë nga përdorimi i informatave të reja dhe teknologjitë komunikuese si dhe për të fuqizuar zbatimin e vet efektiv.
Në nivel të BE-së, Rregullorja e vitit 2016 për Mbrojtjen e Përgjithshme të të Dhënave (RMPD) (në origjinal: GDPR, Regulation (EU) 2016/679) parasheh një kornizë konkrete dhe ligjore për mbrojtjen e të dhënave dhe konsiderohet si një rregullore më gjithëpërfshirëse dhe e avancuar në mbarë botën.
Në nivel vendor, Ligji nr. 06/L –082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u miratuar me qëllim të mbrojtjes përkatëse të të dhënave personale duke i dhënë kështu Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) rolin kyç për mbikëqyrjen e zbatimit të tij.