Pjesa “subject” në email mund të duket si më pak e rëndësishmja gjatë komunikimit, por nuk është kështu. Si për bizneset, si gjatë procesit të punëkërkimit kujdesi ndaj “linjës së temës” është mënyra më e mirë për ta bërë atë email të dukshëm te marrësi.
Kjo është pjesa më e parë që njerëzit do ta shohin gjersa e kontrollojnë inbox-in. Duke qenë se disa emaile mund të përmbajnë po aq viruse sa edhe informacione jo relevante, njerëzit të cilët janë të zënë rrallë i hapin të gjitha. Kështu që vendimi për ta lexuar një email varet se çfarë “emri” i kemi vënë.
Kujdes: Nëse nuk shënoni asgjë në “subject”, emaili juaj mund të përfundojë në “spam” ose “deleted”!
Gjersa marrësit nuk do të jenë të njohur me emrin tuaj, “linja e temës” është një mundësi për ta prezantuar veten. Ky është një hap i fuqishëm për përshtypjen e parë, sidomos për ata të cilët aplikojnë për punë.
Këshilla për përzgjedhjen e shënimeve të duhura për email
Të jetë profesionale: Kjo këshillë vlen si për “subject” ashtu edhe për email adresën. Ajo nuk duhet të përfshijë fjalë apo fraza informale si “Hey/hej” “Çkemi” etj. Përdorni gjuhë të kujdesshme dhe profesionale! Gjithashtu të jeni të siguroheni që ta keni një email adresë profesionale, kjo vlen sidomos për ata të cilën aplikojnë për punë. Një email adresë pa emër as mbiemër, mund ta bëjë punëdhënësin të dyshojë sesa serioz do të jeni gjatë kryerjes së detyrave.
Shënoni arsyen e emailit: Duhet të siguroheni që “linja e temës” tuaj tregon aq interes sa të lexohet nga marrësi. Përdorni fjalë kyçe duke u bazuar në qëllimin e dërgesës së emailit! Në rastet kur shkruani emaile për rrjetëzim, përdorni këtë pjesë të emailt për të treguar përse po kontaktoni me atë person! Mund të kërkoni informacione, të kërkoni takim, këshilla, apo kërkesa të tilla.
Nëse po aplikoni për punë dhe dikush ju ka rekomanduar, gjithmonë përfshini emrin e tij/saj!
Përfshini titullin e punës: Nëse po aplikoni për punë, përdorni titullin e punës në “subject”, kështu që punëdhënësi do ta dijë se për cilën pozitë jeni të interesuar. Kjo i ndihmon rekruterët të cilët kanë shumë punë, e që po rekrutojnë për pozita të ndryshme, të shohin që në fillim se për cilën pozitë po aplikoni. Kjo bëhet edhe më praktike nëse rekruterët kanë ndonjë filter automatik që i filtron emailat. Me “linjën e temës” të shkruar në mënyrë të duhur do të siguroheni që aplikacioni juaj ka shkuar në vendin e duhur.
Ndiqni udhëzimet: Ndonjëherë kompanitë e përcaktojnë në shpallje të punës, se çfarë të përfshihet në “subject”. Nëse ajo e bën, sigurohuni që t’i ndiqni udhëzimet dhe mos e konsideroni se diçka pa rëndësi!
Të jetë e shkurtër dhe specifike: Sa më specifik ta bëni shënimin për “subject” aq më e lehtë do të jetë për marrësin që ta kategorizojë emailin tuaj dhe të përgjigjet në mënyrën e duhur. Jini sa më të shkurtër dhe të përmbledhur të jetë e mundur, sepse shkrimet e gjata mund të shkurtohen dhe të humbasë informacioni më i rëndësishëm!
Vërejtje: Shumica e përdoruesve sot e kontrollojnë emailin në telefon, i cili ua lejon 25 deri në 30 karaktere në “subject”.
Kontrolloni dhe redaktoni mesazhin: Shumica e dërguesve, përpara se ta dërgojnë një email i japin rëndësi vetëm trupit të emailit, ndërsa nuk i kushtojnë aq shumë rëndësi për “subject”. Tash e tutje, duke e ditur që kjo pjesë e emailit është përshtypja e parë, duhet të siguroheni që e keni shënuar pastër dhe pa gabime!/Akademi pune