Në Komisionin hetimor për energji ka dështuar intervistimi i dëshmitarëve nga KEDS dhe KESCO.
Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, Hajdar Beqa theksoi se dëshmitarët e KEDS dhe KESCO kanë dhënë një arsyetim tek administrata se sot nuk do të mund të jenë të pranishëm në Komision.
Deputeti Beqa theksoi se pa dëshminë e tyre nuk mund të ketë një raport të plotë hetimor, dhe shtoi se do shikojnë mundësitë që intervistimi i tyre të ndodhë para përfundimit të mandatit të komisionit.
“(Ata) Kanë dhënë një arsyetim përmes administratës që nuk mund të jenë sot prezent dhe sot nuk do të mbahet intervistimi i përfaqësuesve të KEDS dhe KESCO. Prandaj, ne do t’i shikojmë rrugët ligjore përmes komisionit t’i sigurojmë para se të mbyllet mandati i komisionit që ta kemi edhe dëshminë e tyre sepse pa dëshminë e tyre nuk mund të kemi një rpaort të plotë”, tha ai.
Me kërkesë të kryetarit Beqa, mbledhja ka vazhduar pa kuorum dhe pa media për çështje të tjera, siç tha ai, teknike.
Për intervistim sot ishin paraparë dëshmitarët nga KEDS dhe KESCO: Vedi Yesilkilic, Kryeshef, Ekzekutiv i KEDS 2013-2014, George Karagutoff, shef Ekzekutiv i KEDS 2013-2019, Alper Erbas, kryeshef Ekzekutiv i KEDS 2019-2021, Alpin Dogan, aktualisht Kryeshef Ekzekutiv i KEDS, Serhat Mesut Dinc, aktualisht kryeshef Ekzekutiv i KESCO.