Të enjten Ballkani zhvillon ndeshjen e pestë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës kundër Slavia Pragues. Para takimit, trajneri i kampioni kosovar Ilir Daja e ka cilësuar këtë përballje si tejet të vështirë. Ai në konferencën e sotme foli për mediat së bashku me futbollistin Arbër Potokun, ku të dy e cilësuan Slavia Praguen si favorit të grupit.
Trajneri Daja tregoi se çfarë mendon për kundërshtarin e nesërm, për të cilin tha se është një prej skuadrave më të forta me të cilën është ndeshur Ballkani deri më tani.
“E dimë që nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë, me ekipin më të fortë të grupit, për arsye se çfarë renditje ka në tabelën e klasifikimit, por që ka qenë që në start favorit për kalimin e turit dhe mendoj që është një nga ekipet më të forta që jemi ndeshur deri tani”, tha Daja.
Po ashtu, Daja tha se momentalisht Ballkani është bërë si një kombëtare e dytë apo një kombëtare mbarëshqiptare, pasi që është skuadra e vetme nga Kosova ose Shqipëria që po e vazhdon ende rrugëtimin në Evropë.
“Në çdo ndeshje ne kemi hyrë me maksimumin e motivimit sidomos në Prishtinë, sepse kemi përkrahjen e sportdashësve tonë, jo vetëm të atyre por të gjithë Kosovës sepse në këto momente jemi bërë si një kombëtare e dytë apo një kombëtare mbarëshqiptare, pasi është i vetmi ekip që vazhdon rrugëtimin në Evropë. Motivi nuk na ka munguar, por që duke e parë edhe gjendjen tonë momentale, sigurisht që nuk jemi në formën tonë më të mirë dhe kundërshtarin e kemi më të fortin e grupit, por kjo nuk do të thotë që ne do të hyjmë të dorëzuar por që ky është realiteti”, tha Daja.
Ndeshjen kundër Slavia Pragues të vështirë e cilësoi edhe futbollisti Arbër Potoku, i cili pavarësisht se ka përballë një kundërshtar favorit në grup, tha se do ta bëjnë maksimumin për të dalë faqebardhë.
“Sigurisht që nesër na pret një ndeshje mjaft e vështirë pasi që e dimë edhe kualitetin e kundërshtarit. Mendoj se janë favoritë që të kalojnë grupin, pasi që dihet se çfarë tradite dhe çfarë organizimi kanë si klub. Ne do të japim maksimumin dhe me ndihmën e tifozëve dhe opinionit, ne do të paraqitemi sa më mirë, të bëjmë një ndeshje siç na ka hije dhe të dalim faqebardhë”, tha Potoku.
Momentalisht, pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Ballkani zë vendin e fundit në Grupin G në kuotën e katër pikëve, aq sa ka edhe Slavia Prague në pozitën e tretë.