Dita e Informimit për Cilësinë e Ajrit në Kosovë u shënua me një sërë aktivitetesh për informimin e publikut mbi rreziqet shëndetësore nga ndotja e ajrit.
Këto aktivitete janë organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me përkrahjen nga Millenium Foundation Kosovo.
Agron Kelmendi nga Milenium Fondation Kosovo tha se tashmë Kosova ka arritur që ta zgjedhë problemin e mungesës së të dhënave për cilësinë e ajrit.
Ai tha se përmes një projekti të financuar të MSS është krijuar një sistem informativ për cilësinë e ajrit në Kosovë, derisa është hartuar edhe Portali Shtetëror për cilësinë e ajrit.
Kelmendi tha se përmes këtij projekti janë identifikuar edhe ndotësit më të mëdhenj të ajrit e që janë përdorimi për ngrohje e drunjve dhe thëngjillit kryesisht në zonat rezidenciale.
Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Shkumbin Shala tha se ky Institut po punon me një sistem të avancuar me 13 stacione që monitoron në mënyrë të pandërprerë cilësinë e ajrit në Kosovës.
“Ky sistem është në avancimin më të madh të mundshëm ku të dhënat tona janë të qasshme për të gjitha kategoritë. Ky sistem përbënë 13 stacione 12 fikse dhe 1 mobil, dy stacione i kemi në Prishtinë për shkak të rëndësisë, këto të dhëna janë të qasshme dhe monitorimi bëhet në mënyrë të pandërprerë… Ideja dhe qëllimi jonë është që të dhënat të shpërndahen te të gjithë dhe t’i përdorin të gjitha kategoritë e shoqërisë, ne po mundohemi që ta kryejmë punën tonë si institucion përgjegjës deri tani mendoj se puna ka shkuar mirë duke falënderuar donatorët në veçanti donacionin e fundit nga MSS”, tha ai.
Zyrtarja e Komunës së Prishtinës Seniha Bajraktari derisa e pranoi që kryeqyteti është nga komunat më të ndotura në vend, tha se komuna po punon në shumë projekte që do të përmirësojnë cilësisë se ajrit.
Bajraktari tha se aktualisht kjo komunë është duke punuar në 10 dokumente, të cilat do kenë efekte në rritje të cilësisë së ajrit në kryeqytet.
“Komuna e Prishtinës nuk po ndalon së punuari në dokumente, të cilat janë të obligueshme për komunën e Prishtinës dhe do të ndikojnë në të ardhmen me projekte që përfshihen brenda tyre në cilësinë e ajrit ashtu me këto aktivitete që jemi të gatshëm t’i përgjigjemi”, tha ajo./UBTNews