Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes e ka cilësuar si një “festival” ndeshjen miqësore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës që zhvillohet sot me fillim nga ora 16:00. Ai ka thënë se për kosovarët kjo do të jetë një sfidë shumë miqësore dhe se respekti ndërmjet dy vendeve është shumë i madh.
“Për kosovarët që jetojnë në Zvicër do të jetë një festival i vërtetë futbolli. Larg politikës apo problemeve të tjera”, thotë Challandes, i cili thekson se populli në Kosovë gjithmonë i ka konsideruar triumfet e kombëtares zvicerane në të kaluarën si ” fitorja e tyre”.
“Kur kombëtarja është shumë e suksesshme, sheh edhe flamuj zviceran të varur në Prishtinë”, ka thënë Challandes për mediumin zviceran “20min”.
Challandes e ka drejtuar Kombëtaren e Kosovës nga viti 2018 deri në vitin 2021, ku më pas u shkarkua pas rezultateve jo të mira.