Në kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, sot u mbajt ceremonia e certifikimit të zyrtarëve të njësiteve elite të Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësitit Special Intervenues (NJSI) dhe Njësisë Speciale Operative (NJSO).
Sipas njoftimit të policisë, kjo ceremoni u realizua pas një trajnimi profesional mjaft sfidues për zyrtarët policorë, por edhe motivues për të gjithë ata që arritën sot ditën e certifikimit, përfshirë edhe certifikimin e instruktorëve trajnues.
“Në ceremoni, zyrtarëve policorë me nga një fjalë rasti iu drejtuan Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Kimberly Riffe nga ICITAP-i amerikan, të cilët vlerësuan lartë arritjet profesionale të zyrtarëve policorë, si dhe i uruan me rastin e certifikimit dhe bashkëngjitjes së tyre me njësitet elitare të PK-së.”, thuhet në njoftim.