Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka dalë sot në konferencë për mediat, ku ka folur për sfidat e radhës në eliminatoret e Europianit 2023. Kuqezinjtë do të luajnë të enjten ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, teksa 4 ditë më pas do të sfidojnë Slloveninë po në Elbasan.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Bushi shprehet se përfaqësuesja e 21-vjeçarëve është e motivuar për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të lënë pas humbjen e fundit në Çeki. Tekniku thekson se në grupin e lojtarëve të thirrur ka elementë cilësorë të cilët mund të bëjnë diferencën dhe se objektivi i vetëm ndaj Andorrës është marrja e tre pikëve.
Gjithashtu, Bushi është i kënaqur me punën e bërë me ekipet kombëtare të moshave, që vitet e fundit kanë prodhuar shumë lojtarë të cilët tashmë japin kontributin e tyre në Kombëtaren A.
Sfida me Andorrën – Me Andorrën brenda një viti e gjysmë kemi luajtur 3 ndeshje, dy i kemi fituar dhe një kemi marrë barazim atje. Është një ekip që ne e kemi vlerësuar maksimalisht, si nga ana e stafit, po ashtu edhe lojtarët. E shohim si të kemi Gjermaninë përballë, mezi e presim si ndeshje për të thënë që nuk jemi ne ata që kemi humbur në Çeki, por ishte një humbje momentale dhe ekipi duhet të reagojë dhe kjo ndeshje ka një domethënie të madhe. Ashtu si Andorra, edhe ne jemi një ekip modest, por ne kemi shpirtin e garës dhe luftën për të fituar një ndeshje e kemi shumë të madhe. Nëse na mungon kjo atëherë kemi probleme. Mendoj se këtë radhë nuk do të na mungojë.
Mungesa e Çepeles? – Prandaj është ekip Kombëtar, pasi ka alternativa. Ata janë lojtarë cilësorë, si Çepele ashtu edhe Ismajlgeci, mendoj se e kemi kontingjentin për t’i zëvendësuar, që janë të një niveli shumë të mirë, kështu që nuk kemi probleme.
Puna me moshat – Ekipet e moshave kanë si objektiv për të furnizuar ekipin e parë, por ne kemi edhe objektivat tona personale dhe objektive. Çdo ndeshje duhet të fitohet, kemi bërë shumë mirë në këtë aspekt, pasi edhe vitin e kaluar kemi dalë në vendin e tretë dhe kemi marrë 14 pikë, si asnjëherë më parë, por kemi furnizuar edhe ekipin e parë, ku ka mbi 20-25 lojtarë të ekipit Shpresa, këto 4-5 vitet e fundit, një punë e bërë mjaft mirë nga Federata Shqiptare dhe nga Drejtoria Teknike, një punë disa vjeçare dhe është bërë shumë mirë. Objektivi që ne të zëmë një vend të mirë këtë edicion, sepse kemi bërë mirë edicionin e kaluar qëndron, pavarësisht humbjes në Çeki. Kemi bërë dy ndeshje, ku një e kemi fituar dhe një e kemi humbur dhe kjo është ndeshja e tretë. Jemi brenda objektivave, pavarësisht se kemi shumë mungesa, për shkak të pandemisë dhe sepse ka lojtarë në ekipin e parë. Por kjo nuk ka rëndësi sepse edhe ata që i zëvendësojnë janë lojtarë shumë të mirë dhe do bëjnë më të mirën, për t’i fituar këto ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne.
Sllovenia? – Do të jetë një kundërshtar i vështirë, por vëmendja dhe objektivi janë tre pikët me Andorrën.
Elementët nga kampionati shqiptar? – Ne mundohemi që t’i japim afrojmë lojtarët që janë në kampionatin shqiptar, për moshën e caktuar që kanë dhe që mund të luajnë me në. Por ka lojtarë inteligjentë dhe jo inteligjentë. Çdo lojtar duhet të kuptojë që kur thirret nga ekipi Kombëtar, nuk është e rëndësishme që të luajë patjetër, por thjesht ty të ka ardhur ftesa, që do të thotë të përfaqësosh 20 më të mirët e Shqipërisë. Duhet ta shohë nga ana pozitive dhe duhet të jetë stimul për ata. Ka edhe nga ata që e kuptojnë këtë, por edhe nga ata që nuk e kuptojnë. Jam munduar që t’i stimuloj dhe që ta vlerësojnë Kombëtaren më shumë, pasi shoh që edhe në Kombëtaren A shkojnë lojtarë edhe të moshave të vogla. Që do të thotë se kanë cilësi, si Broja, Kumbulla, Muçi.
Refuzimi i ftesës nga Kombëtarja? – Ego nga çdo lojtar mund të ketë, por kjo duhet kthyer në anën pozitive, ne si trajner duhet t’i menaxhojmë mirë situatat sepse janë delikate dhe mund të prishim edhe grupin. Jam munduar që edhe tek ekipi Shpresa, nuk është se kam pasur shumë probleme. Kam pasur gjëra të vogla por e merr një lojtar dhe e motivon dhe ka nga ata që e kanë kuptuar dhe nuk kanë pasur probleme. Unë do të doja që të kisha kështu lloj problemesh kur një lojtar e ndjen veten shumë të fortë dhe kërkon që të luajë, por këtë duhet të ma tregojë me lojë dhe jo vetëm me fjalë dhe kjo është diçka e mirë. Ne si ballkanas e kemi këtë, por është menaxheri ai që menaxhon të gjithë grupin që mos të kemi situata të tilla.
Mendoj që humbjet nuk sjellin gjëra negative, kështu mendoj unë dhe këtë i kam transmetuar edhe lojtarëve. Çdo humbje ka gjërat pozitive që ne kemi mësuar shumë nga humbja me Çekinë, kemi parë defektet se pse kemi humbur. Disa lojtarë nuk kanë dhënë maksimumin pas golit të dytë, ky është futbolli. Ne nuk duhet të ulim kokën por duhet të vazhdojmë përpara për ta kthyer ndeshjen. Siç kemi bërë edhe me Andorrën në ndeshjen e kaluar në Elbasan. Mendoj se si humbjet edhe fitoret duhet t’i harrojmë dhe këtë i them edhe çunave, pasi edhe nëse fitojmë kjo harrohet pas 24 orëve. Ky është futbolli, duhet të kesh vazhdimësi. Gjithashtu, edhe humbjet. Mendoj se nesër do të bëjmë shumë mirë.