Pasi qëndroi nëntë muaj jashtë fushës, Armando Broja ka bërë rikthimin e tij duke luajtur pak minuta në humbjen e Chelseat ndaj Aston Villës me rezultat 1-0.
Sulmuesi shqiptar kishte pësuar një lëndim muskular i cili e detyroi të qëndronte jashtë fushës për gati një vit.
Pas ndeshjes, Broja ka reaguar në rrjete sociale ku është shprehur shumë i lumtur me rikthimin e tij, por jo edhe me rezultatin.
“Natyrisht nuk është rezultati që prisnim sot. Por çfarë ndjesie e pabesueshme dhe emocionale të kthehesh në fushë pas kaq shumë muajsh jashtë. Faleminderit djema për mbështetjen dhe faleminderit të gjithëve që punuan për kthimin tim”, ka shkruar Broja në Instagram.
Ndryshe, Chelsea e ka nisur sezonin në mënyrë katastrofike duke mbledhur vetëm pesë pikë pas gjashtë ndeshjeve.