UBT News

​Bordi ekzekutiv i MCC-së aprovon programin Kompakt

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, (MCC), në mbledhjen e rregullt më 30 qershor 2022 ka aprovuar Projektin Kompakt si dhe kanë hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit në Kuvendin e Kosovës dhe dekretimin nga presidentja Vjosa Osmani.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Programi do të përfshijë tri projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.

Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit.

Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë.

Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC-në; dhe fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim, apo ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Specifikisht, projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore.

Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Exit mobile version