Bjeshka e Hinoskës, e pozicionuar rrëzë malit të Velivarit me lartësi 2369m është një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe të aksesueshme në Parkun Natyror “Korab – Koritnik”.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga kjo bjeshkë në këtë stinë, duke përcjellë dhe informacion mbi shtigjet e shënjuara.
Shtegu turistik që kalon në fshatin Melan, në fshatin Ilnicë dhe në bjeshkën e Hinoskës ofron një larmi të peizazhive natyrore nga ku mund të shijohen edhe pamjet mahnitëse të luginës së Drinit të Zi, të maleve të Lurës dhe vargmalit të Korabit në njërën anë, dhe të luginës së Radikës dhe maleve të parkut të Mavrovës në anën tjetër, shkruan ATSh.
Biodiversiteti i larmishëm, burimet ujore, kullotat alpine dhe qetësia shpirtërore që të përcjell ky vend e bën atë një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së verës dhe jo vetëm.