Asnjë automjet i ri me motor me djegie nuk do të shitet në Bashkimin Evropian duke nisur nga viti 2035, pasi negociatorët në Parlamentin Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje, njoftoi presidenca çeke e BE-së. Marrëveshja është pjesë e përpjekjeve të BE-së drejt lëvizshmërisë me emetim zero, që mund t’i japë fund përdorimit të makinave dhe furgonëve me motor me djegie në bllok. Vendimi do të rishikohet sërish në vitin 2026.
Ndalimi i shitjeve të automjeteve të reja me motorë me djegie është pjesë e paketës së BE-së për ndryshimet klimatike të quajtur Fit for 55, që synon të reduktojë emetimet që dëmtojnë klimën me 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, dhe të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Çështja nëse shitja e makinave të reja me djegie duhet të ndalohet nga viti 2035 ka qenë objekt i mosmarrëveshjeve të zgjatura brenda qeverisë gjermane.
Sipas marrëveshjes, BE-ja mbeshtet vendimin për të mos lejuar shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme në bllok nga viti 2035 e tutje. “Kjo marrëveshje do të hapë rrugën për industrinë moderne dhe konkurruese të automobilave në BE. Bota po ndryshon dhe ne duhet të qëndrojmë në krye të inovacionit”, tha në një deklaratë të BE, ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Síkela.
Ndalimi de-facto ishte një çështje veçanërisht e delikate për Berlinin, për shkak të industrisë së madhe të makinave në Gjermani, ku një nga partitë në koalicionin e qeverisë së saj trepalëshe, Demokratët e Lirë liberalë (FDP) kishte kundërshtuar planin e BE-së. Ministrat e Mjedisit të BE-së ranë dakord që të gjitha makinat e reja të shitura në Bashkimin Evropian duhet të jenë neutrale ndaj karbonit që nga viti 2035.
Qëllimi ishte të lihej një derë e hapur për të shitur potencialisht automjete të reja me motor me djegie që funksionojnë me lëndë djegëse sintetike neutrale ndaj CO2 edhe pas vitit 2035. Kjo mund të zbatohet gjithashtu për makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta komerciale. Vendet anëtare të BE-së tani duhet ta miratojnë rregulloren në ligjin kombëtar.
Aktualisht nuk ka plane për ndalimin e automjeteve me motor me djegie. Një ndalim i shitjeve është krijuar për t’i bërë automjetet me benzinë dhe naftë më të rralla dhe për t’u zëvendësuar me automjete elektrike./atsh