UBT News

​Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 1.75%

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot rritjen me 0.25 pikë përqindje të normës bazë së interesit, duke e çuar nga niveli 1.25 % në nivelin 1.75 %, e cila është rritja e tretë brenda këtij viti.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko tha se BSH e vlerësoi të nevojshëm përshtatjen e qëndrimit të politikës monetare me kushtet e reja të rritjes së inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë me 0. 5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%; të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75% dhe të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.25% në nivelin 0.75%”, deklaroi Sejko.

Ai vuri në dukje se në gjykimin e Këshillit normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm.

Në të njëjtën kohë, politika monetare do të vijojë të mbetet në kahun akomodues gjatë gjithë procesit të normalizimit dhe nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike.

Guvernatori deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend./Atsh

Exit mobile version