Mario Balotelli ëndërron një rikthim në kombëtaren e Italisë për ndeshjet e play-off-it të Kupës së Botës në mars dhe pranon se ka folur me Roberto Mancinin së fundmi.
“Azzurrët” nuk arritën të fitojnë grupin e tyre kualifikues në Kupën e Botës dhe për këtë arsye, ata janë të detyruar të kalojnë fazën e play-off-it për t’u kualifikuar në “Katar 2022”.
Në fillim të kësaj jave, vëllai i Mario Balotellit, Enock tha se ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit do të ishte ideal për Italinë e Roberto Mancinit dhe Balotelli tani ka konfirmuar se ëndërron një rikthim në skuadrën italiane.
“Ndihem mirë pas dy viteve e gjysmë. Ndihem gati të rikthehem në kombëtare. Do të ishte një ëndërr. Tani do të largohesha nga Turqia në këmbë nëse do ta dija se do të thirresha në mars”, tha ai për “OCË Sport”.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Mancinin dhe i kam pasur gjithmonë. Ai vetëm duhet të më thotë se çfarë kërkon nga unë që të mund të kthehem në kombëtare. Dhe unë do ta bëjë. Nëse jam dëgjuar me të kohët e fundit? Po.”, ka thënë Balotelli.
“Atë që ai dëshiron nga unë e ka thënë tashmë disa herë”, vazhdoi ai.
“Nuk kam pse t’i premtoj asgjë vetes. Ai e di se sa i mirë jam, pse të mos më telefonojë? Për karakteristikat e mia, mund të luaja me të gjithë. Edhe me Ciro Immobile. A do t’i gjuaja penalltitë? Nuk do të përgjigjem sepse kjo do të krijonte polemika, por të gjithë e dinë që mund të godas mirë nga pika e bardhë. Çdo futbollist ëndërron të jetë sulmuesi i kombëtares së tij”, ka thënë në fund Balotelli.