Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, është anuluar.
Organizatori i festivalit ka bërë të ditur në një komunikatë për media se është detyrurar të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase nuk u është lejuar ta mbajnë në lokacionin e paraparë.
“Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt të hënën pasdite, më 13 qershor, na u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim”, thuhet në njoftim.
Ndonëse kërkesa për mbajtjen e festivalit sipas organizatorit është bërë në muajin gusht, përgjigjen nuk e kanë marrë deri të hënën e kësaj jave.
“Për neve si organizatorë ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i paarsyeshëm. Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë”, thuhet në komunikatë.
Beerfest Kosova dhe organizatori i festivalit janë në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
“Ne do t’ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim”, thuhet në fund të njoftimit.