Carlo Ancelotti ka hedhur poshtë pretendimet se Real Madridi është poshtëruar në humbjen e tyre 3-1 në Superkupë ndaj rivalëve të mëdhenj, Barcelona.
Ndeshja e fundit El Clasico e 2022-2023 u luajt në Arabinë Saudite të dielën, me Barçën që fitoi trofeun me golat e Gavit, Robert Lewandowskit dhe Pedrit, ndërsa Karim Benzema që shënoi golin e vetëm për Madridin.
Pas ndeshjes, trajneri i Realit, Carlo Ancelotti duke folur para gazetarëve nuk pranoi pretendimin se ata u poshtëruan nga kundërshtari.
“Të thuash se ky ishte një poshtërim sportiv është mungesë respekti. Ne humbëm një ndeshje me Barcelonën, ashtu siç fituam një ndeshje kundër tyre në La Liga. Barcelona ishte më e mirë sot. Kjo është. Të thuash poshtërim, kjo është shumë. Në sport herë fiton, herë fiton kundërshtari”, tha trajneri italian.
Por Ancelotti pranoi se kjo mund të konsiderohet një situatë e vështirë për Real Madridin.
“Nuk është një situatë kritike, por është një situatë e vështirë. Ju keni momente të vështira në një sezon dhe ne duhet ta rregullojmë këtë së shpejti me përkushtim. Kur pëson tre gola, duhet të jesh më i mirë në mbrojtje. Duhet të punojmë për këtë. Nuk po luajmë mirë tani. Por, ky ekip ka cilësinë për të qenë konkurrues në të gjitha turnetë që na kanë mbetur. Real Madridi zakonisht fiton finalet, dhe ne e kemi humbur këtë, por na mbetet një sezon i gjatë përpara”, tha në fund ai.