Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i dhuroi “Çelësin e Qytetit”, Ambasadorit të Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi për kontributin e dhënë për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve në takimin lamtumirës që pati me të.
“E falënderova për shërbimin e jashtëzkanoshëm dhe i thash se do të mbetet gjithmonë ura jonë lidhëse me Shqipërinë. Në përfundim të misionit i dhurova “Çelësin e Qytetit” për angazhimin dhe ndihmën e pakursyer për shtetin tone”, deklaroi kryetari Rama.
Ndërsa, ambasadori Minxhozi u shpreh falënderues për mikpritjen e bashkëpunimin që kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka patur gjithmonë me të gjitha qytetet shqiptare.
“Jam vërtetë i lumtur që pata mundësinë që përgjatë këtyre viteve që kam shërbyer në Kosovë të bashkëpunoja me një njeri me shumë vlera i cili ka kontribuar në thellimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”, deklaroi ambasadori Minxhozi.
Qemal Minxhozi ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës për dhjetë vjet.