Massimiliano Allegri ishte dje në Torino, dhe sipas “La Gazzetta dello Sport”, kjo i shton edhe më shumë spekulimet se ai mund të jetë trajneri i ardhshëm i Juventusit.
Juventusi po lufton për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve, por trajneri aktual Andrea Pirlo mund të shkarkohet pavarësisht nga pozicioni i “Bianconerëve” në fund të sezonit.
Sipas “GDS”, Massimiliano Allegri është kandidati kryesor për të zëvendësuar ish-mesfushorin bardhezi. Fakti që ai u pa në Torino dje dëshmon se ai mund të kthehet në klub dy vjet pasi u shkarkua.
Trajneri ende zotëron një shtëpi në Torino dhe djali i tij luan futboll në një ekip me qendër në këtë qytet.
Raporti konfirmon që Fabio Paratici dhe Pavel Nedved do të largohen nga klubi nëse Allegri kthehet dhe e ardhmja e Andrea Agnellit është gjithashtu në dyshim.
Paratici dhe Nedved shtynin Agnellin të shkarkojë Allegrin në vitin 2019 dhe kontratat e tyre skadojnë në fund të sezonit.