Komuna e Vitisë e ka nderuar me Çelësin e Qytetit vajzën e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, Alice e cila është edhe kryeshefe ekzekutive e Koorporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të cilët përmes programit të Pragut kanë rinovuar në këtë komunë disa ndërtesa shumëkatëshe me qëllim të rritjes së efiçiencës së energjisë.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësues nga MCC, Fondacioni i Milleniumit të Kosovës dhe shumë qytetarë të tjerë vitias, derisa e gjithë qendra e qytetit ishin mbushur me flamujt të shtetit amerikan.
Kryetari i komunës se Vitisë, Sokol Haliti tha se sot u përurua një projekt prej të cilit më së shumti përfituan qytetarët. Haliti tha se kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright e nderon me Çelësin e Qytetit të Vitisë në emër të miqësisë së përjetshme në mes të Kosovës dhe ShBA-ve.
“Në emër të qytetarëve të Vitisë dhe të gjitha etnive dhe identiteteve që jetojnë në Viti, në emër të miqësisë së përjetshme mes Kosovës dhe ShBA-ve, në emër të historisë sonë të përbashkët nga rezistenca paqësore e presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe luftën e shenjtë të Kosovës dhe historisë më të re të Kosovës së pavarur dhe demokratike dhe në emër të synimeve të përbashkëta të MCC-së dhe komunës së Vitisë për mbrojtjen e ambientit, arritjen e barazisë gjinore dhe zhvillimin ekonomik të Vitisë dhe mbarë Kosovës me propozimin tim dhe miratimit të Kuvendit Komunal kam nderin si kryetar i komunës t,ju nderoj me çelësin e komunës së Vitisë si përfaqësuese e MCC-së”, tha ai.
I pari i komunës së Vitisë po ashtu foli edhe rreth projektit me MCC-në për të cilin tha se ka fuqizuar institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësinë në projektet e efiçiencë energjetike.
“Me dhjetëra familjarë sot kanë banesa të ngrohta dhe do të shpenzojnë më pak rrymë ndërsa jemi të lumtur që ky model i bashkëpunimit në mes komunave dhe MFK-së është përdorur edhe në gjashtë komuna tjera…. MCC e ka fuqizuar MF dhe insitucionet e Kosovës që ta marrin përgjegjësinë në projektet e efiçiencës energjetike në përfshirje të grave në sektorin e energjisë edhe në qeveri transparente dhe qeverisje të mirë… Shumë mësime nga investimet tuaja do t’u shërbejnë qeverive lokale dhe atyre qendrore për planifikim më të mirë në investime strategjike për një zhvillim të qëndrueshëm. Komuna e Vitisë është lidere për projektet për zhvillim të qëndrueshëm dhe do të vazhdojmë të përdorim ekspericën me MCC-në edhe në të ardhmen”, theksoi ai.
Kurse kryeshefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh shumë e emocionuar që ndodhet në Kosovë dhe që shënojnë përfundimin e projektit të Pragut.
Derisa falënderoi komunën e Vitisë për nderin që ia bënë dhe vlerësimet për nënën e saj tashmë të ndjerë, Madeleine Albright, ajo tha se nga viti 2004, MCC ka krijuar partneritet me 49 vende të botës duke investuar rreth 15 miliardë dollarë për të nxitur rritjen ekonomike dhe luftuar varfërinë.
Ndërsa, theksoi se bashkëpunimi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit me Kosovën ka krijuar një bazë të mirë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për efiçiencën e energjisë elektrike.
“Partneriteti i MCC-së me Kosovën filloi në vitin 2017 me nënshkrimin e programit të Pragut në Kosovë të MCC-së pra dhe ky është programi që jemi mbledhur sot që ta shënojnë përfundimin e tij. MCC dhe qeveria e Kosovës punuan për të promovuar përdorimin më efiçient të furnizimeve ekzistuese të energjisë dhe për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve qeveritare që ofrojnë shërbime për qytetarët e vendit… Programi i Pragut të MCC-së ka punuar për të krijuar një bazë mbi të cilën qeveria e Kosovës mund të vazhdoj të ndërtoj një të ardhme më të ndritshme dhe me energji me efiçiente për të gjithë kosovarët”, theksoi ajo.
Vajza e ish sekretares së shtetit të Amerikës tha se komuna e Vitisë ka qenë një nga gjashtë komunat që u implementua projekti për energji të besueshme prej të cilit përfituan rreth 43 familje.
“Si pjesë e komponentit të rinovimit të efiçiencës së energjisë në banesa të projektit për energji të besueshme Vitia ishte një nga gjashtë komunat e përzgjedhura për të pilotuar një qasje të re për subvencionimin e efiçiencës së energjisë.. Ju përgëzoj juve dhe komunën e Vitisë që ishit një partner i qëndrueshëm në këtë program duke kontribuar me 30% të kostos së rinovimit nga të cilat do të përfitojnë 43 familje që jetojnë në këto ndërtesa banesore”, tha ajo.
Në kuadër të kësaj vizite në Viti, përfaqësuesit e MCC-së vizituan edhe ekspozitën në Shtëpinë e Kulturës në këtë komunë ku ishin vendosur fotografi të shtëpive dhe ndërtesave para dhe pas rinovimeve në kuadër te projektit për Rinovimeve për Efiçiencë në ndërtesa banesore-AER të programit SEEK. Ndërsa, panë nga afër edhe punimet e rinovimeve të ndërtesave në qendër të qytetit të Vitisë e të cilat janë në përfundim e sipër.
Po ashtu, sot edhe në Prishtinë është bërë përurimi i rinovimeve të soliterëve në Ulpianë, projekt ky i bashkëfinancuar nga MCC-së me 60%, komuna e Prishtinës me 30% dhe qytetarët 10%.