Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta thotë se shpreson që dëmtimi i pësuar nga Bukayo Saka në fitoren e së dielës ndaj Nottingham Forestit nuk do të rrezikojë pjesëmarrjen e lojtarit në Kupën e Botës me Anglinë.
Saka u detyrua të largohej nga fusha gjatë fitores 5-0 të Arsenalit pasi u përplas me mbrojtësin i Forestit, Renan Lodi.
21-vjeçari pritet të jetë pjesë e skuadrës së Gareth Southgate për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
“Shpresojmë që jo” tha Arteta kur u pyet nëse Saka ishte një dyshim për Kupën e Botës.
“Ishte një goditje e keqe. Që në fillim ai çaloi, por nuk shoh më shumë se kaq. Le të shohim se si do të jetë ai në dy ditët në vijim. Ai u godit disa herë dhe nuk ndihej mirë”, shtoi Arteta.
Ndeshja e parë e Anglisë në Kupën e Botës është kundër Iranit të hënën e 21 nëntorit.