Vetëm katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor 2008 hyri në fuqi kushtetuta e saj, e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike.
Kushtetuta hyri në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës, kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore, të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisarit.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve të cilët nuk janë pajtuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është njohur nga më shumë se 115 vende të botës.