Mesfushori i Chelseat Jorginho pritet të emërohet mesfushori më i mirë i Ligës së Kampionëve për sezonin 2020-21, ndërsa skuadra angleze po përgatit një ofertë për të zgjatur qëndrimin e tij në “Stamford Bridge”.
Reprezentuesi italian fitoi Ligën e Kampionëve me “Blutë” në maj, para se të bëhej kampion i Evropës me Italinë.
Sipas “Tuttomercatoëeb”, ish-mesfushori i Napolit dhe Hellas Veronas do të shpallet mesfushori më i mirë i Ligës së Kampionëve për sezonin 2020-21 duke e mposhtur shokun e tij të skuadrës N’golo Kante dhe yllin e Manchester Cityt, Kevin De Bruyne.
Ky çmim do të ndahet nesër para hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2021/22.
Kjo mund të rrisë shpresat e Jorginhos për të fituar Topin e Artë në fund të vitit, duke qenë se ai ishte lojtari i vetëm që fitoi trofetë më të rëndësishëm në nivel kontinental.
29-vjeçari u bashkua me Chelsean për 57 milionë euro nga Napoli në vitin 2018.
Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2023, por “Blutë” së shpejti do të fillojnë bisedimet për të zgjatur qëndrimin e tij në “Stamford Bridge”.