Trajneri i Barcelonës, Xavi thotë se fitorja 1-0 e së dielës ndaj Alavesit tregon se ka ende jetë në klubin që ai e drejton.
Frenkie de Jong shënoi në minutën e 88-të për të siguruar pikët për skuadrën e Xavi-t, i cili ngjitet në vendin e pestë në La Liga, një pikë prapa Atletico Madridit në vendin e katërt.
Barcelona zotëroi posedimin e topit deri në 76 përqind dhe në fund mori tre pikë shumë të rëndësishme.
“Na kushtoi shumë, por ishin tre pikë vendimtare që i nevojiteshin skuadrës dhe i meritonte ato”, u tha Xavi gazetarëve.
“Dielli ka lindur sërish, kjo fitore tregon se ka jetë. Do të thotë shumë besim, duke vazhduar të besojmë në atë që bëjmë”, vazhdoi spanjolli.
Barcelona do të ketë një pushim para ndeshjes së radhës në ligë kundër Atletico Madridit të dielën më 6 shkurt.
“Ne jemi në luftë, një pikë larg nga Liga e Kampionëve,” tha Xavi. “Këto ditë do të na vijnë në ndihmë. Do të jenë shumë të dobishme”, tha në fund ai.