Papa Françesku pritet të lirohet të shtunën nga spitali Gemelli i Romës, ku u shtrua papritur dy ditë më parë dhe u trajtua për një bronkit infektiv, tha të premten Vatikani.
Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni tha në një deklaratë se shërimi i Françeskut ka qenë “normal” dhe se Papa hëngri një picë për darkë të enjten në mbrëmje me mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin që po e ndihmon atë në spital.
“Të premten në mëngjes, Papa hëngri mëngjes, lexoi gazeta dhe rifilloi punën e tij,. Shenjtëria e tij pritet të kthehet nesër në shtëpinë e Santa Martës, pas përfundimit të rezultateve të provimeve të fundit mëngjesin e sotëm”, tha Bruni.
Papa, 86 vjeç, u shtrua në spital të mërkurën në Gemelli pasi pësoi disa probleme me frymëmarrjen. Vatikani tha se ai mori antibiotikë në mënyrë intravenoze për të trajtuar bronkitin e tij, duke treguar përmirësime të shpejta dhe “të dukshme”.
Ende nuk dihet nëse Papa do të jetë në gjendje të kryesojë ceremonitë e shumta të planifikuara gjatë Javës së Shenjtë, e cila fillon me të dielën e Palmës, më 2 prill dhe kulmon me Pashkët më 9 prill.
Më herët të premten, dekani i kolegjit të kardinalëve, Giovanni Battista Re, tha për mediat italiane se Françesku mund të jetë në gjendje të marrë pjesë në të gjitha festimet e javës së Pashkëve, pasi ai do të ndihmohet nga kardinalë të tjerë për secilën nga ceremonitë./AA/