UBT News

​Varhelyi uron Kurtin, i kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka uruar kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re dhe i ka dëshiruar suksese në detyrën e kryeministrit.

“Në zgjedhjet e shkurtit, populli i Kosovës ju dha një mandat të fortë për reforma në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për promovimin e zhvillimit socio-ekonomik, si edhe orientimit drejt një ekonomie më të gjelbër. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ju mbështesë në këtë drejtim”, ka shkruar Varhelyi.

Komisioneri i BE-së ka thënë se kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj gjithashtu kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

Varhelyi ka thënë se luftimi i pandemisë mbetet prioritet kryesor, teksa u zotua se BE-ja do t’i qëndrojë pranë Kosovës në këtë kohë.

“Luftimi i pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj socio-ekonomike do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. BE-ja tashmë ka siguruar ndihmë thelbësore dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese”, ka deklaruar ai./UBTNews

Exit mobile version