Kombëtarja e Kosovës mbrëmë regjistroi fitoren e parë në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ku “Dardanët” mposhtën me rezultat minimal 1:0 Gjeorgjinë.
Fitorja e mbrëmshme nënkuptoi që Kosova ka arkëtuar pikët e para në këtë kampionat dhe tani zë pozitën e tretë në Grupin B, duke u renditur pas Suedisë dhe Spanjës.
Sigurisht që kjo fitore ka gëzuar të gjithë tifozët “Dardanë”, dhe përveç tyre, i gëzuar shihet të jetë edhe mesfushori Valon Berisha.
Berisha mëngjesin e sotëm, në llogarinë e tij në “Instagram” postoi një foto, duke treguar që është duke u ndjerë i lumtur me fitoren e parë të Kosovës në kualifikimet e “Katar 2022”.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë se të zgjohesh nga gjumi në mëngjes me tre pikë dhe fitoren e parë tonën në kualifikimet e Kampionatit Botëror”, shkruante Berisha në “Instagram”.
Mesfushori i skuadrës franceze Reims ishte protagonistë te goli i Kosovës mbrëmë, duke harkuar në mënyrë të suksesshme te sulmuesi Vedat Muriqi, i cili më pas shënon gol në portën e Gjeorgjisë.