Shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA nuk e mbështet idenë e FIFA-s për organizimin e Kampionatit Botëror në futboll çdo dy vite.
Në muajt e fundit është diskutuar në shumë raste propozimi i FIFA-s që Kupa Botërore të zhvillohet çdo dy vite, ndryshe nga ajo momentale që organizohet në çdo katër vite, por kjo ide po refuzohet kategorikisht nga UEFA.
Presidenti i këtij institucioni, Aleksander Čeferin ka folur hapur kundër këtij propozimi, madje ai është shprehur i sigurt se një projekt i tillë nuk do të jetësohet.
“Jam i sigurt se kjo nuk do të ndodhë sepse është një absurditet i plotë”, tha ai.
Ai ka shtuar se një projekt i tillë do ta shkatërronte futbollin kur dihet orari tashmë jashtëzakonisht i ngjeshur që lojtarët duhet t’i përmbahen për shkak të numrit të madh të garave në të cilat marrin pjesë.
“Është një projekt populist që do të shkatërronte futbollin, ai bie ndesh me të gjitha parimet e sportit tonë dhe ato të Lojërave Olimpike. Është e pabesueshme që një organizatë futbolli mund të propozojë që lojtarët e tyre – në krye të një programi tashmë të rëndë – të luajnë një turne njëmujor çdo verë”, tha në fundi.