Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, raportoi në Komisionin për Ekonomi. Në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore” pati edhe tensione mes anëtarëve të LVV dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK.
Shala kritikoi ministren Hajdari se janë shkelur të gjitha kriteret e kërkuara për projektin e konkurrueshmërisë, dhe sipas tij përfitues të këtyre mjeteve janë kompani ndërtimore dhe këshilluese.
Po ashtu ai ngriti edhe një shqetësim, se sekretari i kësaj ministrie është përfitues për shkollim në AUK.
Pas fjalimit të deputetes Mimoza Kusari Lila për mbrojtjen e sekretarit të kësaj ministrie, nisi përplasja ndërmjet anëtarëve të këtij komisioni, dhe kryetarit të saj, Ferat Shala.
Pas përplasjeve, me kërkesë të deputetes së VV-së, Mimoza Kusari Lila është ndërprerë mbledhja, me arsyetimin se tani nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala tha se mbledhja me këtë rend dite vazhdon një ditë tjetër.