Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka fajësuar strukturat paralele serbe për sulmin me mjet shpërthyes në objektin e elektro-distribucionit “Elektrokosmet” në veri të Mitrovicës në orët e vona të së enjtes. Ai tha se qëllimi i këtyre sulmeve është të ngjallin pasiguri tek qytetarët.
Sveçla tha se nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale.
“Ka pasur një shpërthim ku ka dëme materiale. Nuk ka të lënduar. Qëllimi është që të terrorizohen banorët atje por edhe të ngjallin pasiguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që organet tona të hetuesisë do të dalin me informata edhe më të detajuara por edhe me rezultate nga ato hetime”, deklaroi Sveçla.
Ministri Sveçla tha se vendi ynë nuk bie pre e presioneve të strukturave paralele dhe se hetimi për këtë ngjarje do të shkojë deri në fund.
“Ende nuk kemi informata të detajuara mbi rastin. Jemi duke hetuar. Kjo është në vazhdën e presioneve që strukturat paralele dhe Serbia i bëjnë Republikës së Kosovës. Ne nuk biem në këto presione. Jam i bindur dhe i sigurt që institucionet e sigurisë do ta hetojnë deri në detaje më të imëta dhe ata të cilët shkaktojnë pasiguri do të përgjigjen para drejtësisë… Po them prej strukturave paralele të Serbisë bazuar në përvojat që i kemi me ta”, u shpreh Sveçla.
I pyetur rreth procesit të hetimeve për sulmet e tjera të ndodhura në veri ndaj zyrtarëve policorë, Sveçla paralajmëroi se së shpejti do të ketë bëhen të njohura rezultatet.
“Jemi në rrugë të mbarë për të gjitha ato hetime. Policia e Kosovë është jashtëzakonisht e fokusuar në to, shumë shpejtë do të kemi rezultate”, tha ai.
Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:45 në objektin e elektro-distribucionit “Elektrosemet” në veri të Mitrovicës.