Gjatë periudhës shumë të gjatë që nga përshkrimi i parë i sklerozës së shumëfishtë (MS) në vitin 1868, ekspertët nuk e dinin saktësisht se cilët faktorë ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Tani dihet se gjenet luajnë një rol të madh në të gjithë këtë, përkatësisht ekziston një rrezik më i lartë për të zhvilluar sklerozë të shumëfishtë nëse një nga anëtarët e familjes e ka pasur atë tashmë.
Epidemiologu Scott Montgomery pranë Kolegjit mbretëror universitar në Londër dhe kolegët e tij, kohët e fundit kryen një studim që tregoi se shfaqja e MS pas moshës njëzet vjeç është e lidhur me disa lloje infeksionesh gjatë adoleshencës.
Sipas hulumtimit “Lidhja e mononukleozës infektive në fëmijërinë dhe adoleshencën me rrezik për diagnoza të mëvonshme të sklerozës së shumëfishtë”, mononukleoza, e njohur si sëmundja e puthjes, mund të jetë një faktor rreziku për MS të fillimit të mëvonshëm në adoleshencë.
Shkencëtarët kanë sugjeruar më parë se infeksione të tilla mund të jenë më të theksuara te njerëzit që janë të prirë për të zhvilluar sklerozë të shumëfishtë, pasi sistemet e tyre imune janë të ndryshme. Por një shpjegim tjetër, ai me të cilin merret ky studim, është se vetë infeksioni mund të jetë një shkaktar për MS.
Për të përcaktuar nëse infeksionet ishin një faktor rreziku, ekspertët analizuan historinë mjekësore të vëllezërve dhe motrave, duke qenë se ata ndajnë pjesën më të madhe të materialit gjenetik dhe kanë një jetë të ngjashme familjare.
Ata filluan nga supozimi se nëse njëri nga vëllezërit e motrat merr mononukleozë dhe më vonë zhvillon sklerozë të shumëfishtë, ndërsa tjetri nuk e merr sëmundjen dhe nuk zhvillon MS, do të thoshte se mononukleoza, dhe jo ndonjë predispozitë gjenetike specifike, ishte ajo që shkaktoi shfaqjen e MS.
Nga ana tjetër, nëse vetëm njëri nga vëllezërit e motrat ka mononukleozë, dhe të dy më vonë kanë zhvilluar sklerozë të shumëfishtë, kjo do të thotë që përgjegjësia qëndron vetëm në predispozicionin gjenetik, shkruan “The Conversation”.
Shkencëtarët analizuan të dhënat nga 2.5 milionë njerëz në Suedi. Pak më shumë se 6.000 prej tyre u zhvilluan MS pas moshës 20-vjeç. Ata zbuluan se mononukleoza midis moshës 11 dhe 19 ishte e lidhur me një rrezik të rritur ndjeshëm të MS pas moshës 20-vjeç. Rreziku më i lartë për MS u vërejt në infeksionet e mononukleozës midis moshës 11 dhe 15 (afërsisht në pubertet), me rrezikun që ulet me moshën dhe zhduket pothuajse plotësisht deri në moshën 25 vjeç.
Ekspertët besojnë se mononukleoza gjatë adoleshencës mund të stimulojë zhvillimin e MS pasi mund të depërtojë në tru dhe të dëmtojë qelizat nervore. Sistemi imunitar më pas sulmon një pjesë të nervave, pra zhvillohet një sëmundje autoimune e cila nga ana e saj dëmton sistemin nervor dhe mund të jetë një shkas për shfaqjen e sklerozës së shumëfishtë.