Më shumë se 24 mijë nxënës të klasave të nënta do t’i nënshtrohen sot pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë në 176 qendra të testimit, për të cilin të angazhuar për mbarëvajtje procesit janë rreth 1600 administrues.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në pjesën e dytë, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga lëndët matematikë, informatikë, shkenca natyrore, fizikë dhe kimi.
MASHTI kërkon nga drejtoritë komunale të arsimit të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.
Në mënyrë që pjesa së dytë e testimit të shkojë mirë, MASHTI ka krijuar një grup punues, i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve.
MASHTI, gjithashtu kërkon nga DKA-të që në pjesën e dytë të testit të sigurohen që administruesit të arrijnë më kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete udhëzuesin me rregullat për administrimin e testit, të respektojnë rregullat e administrimit të testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM-MASHTI, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet respektuar gjatë procesit të testimit, të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit, të njoftojnë administruesit se do të përjashtohen nga procesi në rast të mos respektimit të përgjegjësive dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa konform legjislacionit në fuqi.
Pjesa e parë e testimit është mbajtur më 4 qershor 2022 dhe MASHTI ka njoftuar se nxënësit që kanë përdorur telefona, nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit dhe atyre do t’iu llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të testit.