Ballkani ka pësuar disfatë të hidhur nga Sivaspori në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2-1 edhe pse ishte në epërsi pas pjesës së parë.
Në 15 minutat e parë të sfidës, mysafirët u treguan më këmbëngulës duke bërë presion para portës së Ballkanit, por pa e testuar seriozisht portierin Stivi Frashëri.
Në vazhdim, skuadra kosovare filloi ta marrë kontrollin e lojës dhe krijoi raste të mira shënimi, derisa erdhi edhe goli i epërsisë në minutën e 36′ të ndeshjes të cilin nga afërsia e realizoi kapiteni luftarak Armemd Thaçi dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë nisi më e qetë nga të dy ekipet në fushë, me Ballkanin që kërkonte ta administronte lojën duke e ruajtur epërsinë e një goli. Por ky administrim mori fund në minutën e 72′ kur futbollisti Arsien, i cili hyri në lojë së zëvendësues, realizoi golin e barazimit 1-1.
Në minutat në vazhdim, Ballkani mori sërish kontrollin e lojës duke e kërkuar golin e epërsisë për herë të dytë, por u befasuan nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes nga Angielski i cili shënoi për 2-1 pas një vendosje jo të mirë të mbrojtjes së Ballkanit.
Kjo humbje ia komplikon gjërat kampionit të Kosovës sa i përket kualifikimit në fazën e eliminimit direkt pasi mbeten me katër pikë, tri më pak se dy liderët e grupit, CFR Cluj dhe Sivaspori
Ndeshja e radhës për Ballkanin është kundër Sllavia Pragës në udhëtim.