Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre evropianë zhvilluan një video-konferencë për të koordinuar përgjigjen e tyre ndaj tensioneve Rusi-Ukrainë, ku kanë theksuar dëshirën e tyre për një zgjidhje diplomatike.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit theksoi se “të gjitha palët kishin rënë dakord që agresioni i mëtejshëm rus kundër Ukrainës do të ketë pasoja shumë serioze”, raporton atsh. Sipas tij, i takon Rusisë të ndërmarrë hapa të dukshëm drejt uljes së tensioneve.
Shtëpia e Bardhë shtoi se “grupi diskutoi gjithashtu përgatitjet për të imponuar pasoja masive dhe kosto të rënda ekonomike ndaj Rusisë për veprime të tilla, si dhe për të përforcuar sigurinë në krahun lindor të NATO-s”.
Britania e Madhe nga ana e saj theksoi se grupi ra dakord “të ndërmarrë veprime të shpejta duke përfshirë një paketë të paprecedentë sanksionesh në rast të një inkursioni rus në Ukrainë”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se grupi “dëshironte që diplomacia të kishte sukses dhe po përgatitet për të gjitha eventualitetet”.
Në këtë video-konferencë ishin të pranishëm udhëheqësit e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Polonisë, si dhe presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s.