Mbrëmja e së enjtes do të jetë e rezervuar për spektaklin e basketbollit kosovar, aty ku Trepça do të jetë nikoqir i Pejës në finalen e pestë dhe vendimtare për titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.
Në klubin mitrovicas janë të bindur se titulli do të jetë në duart e tyre dhe festa do t’i takojë tifozerisë “Torcida” që pritet ta stërmbushin palestrën “Minatori”.
Trajneri Ilir Selmani thotë se kualiteti i skuadrës dhe mbështetja e madhe e tifozëve në palestër do të jenë faktorë vendimtarë që Trepça të shpallet kampion.
“Atmosfera është e mirë, djemtë janë të përkushtuar maksimalisht, të përqendruar. Lëndime nuk kemi përveç qendrës sonë i cili për momentin ka pësuar një lëndim lojën e fundit dhe do ta shohim konstatimin e mjekëve se a është në gjendje të paraqitet në lojën e ardhshme. Unë besoj në kualitetin e tyre, besoj në përkrahjen e madhe te qytetarëve të Mitrovicës, besoj në përkrahjen e madhe të tifozerisë “Torcida” edhe besoj që të enjten do të kurorëzohemi me titullin kampion”, tha Selmani.
Kurorëzimin eventual me titull kampioni Selmani e konsideron si një arritje historike për të personalisht, derisa tifozëve u bënë thirrje për sjellje korrekte gjatë ndeshjes.
“Unë edhe më herët ka pasur sfida të tilla, por jo në këtë masë sepse tani e presin të gjithë titullin e kampionit. Normal që do të ishte e arritur për mua si trajner, por edhe e arritur edhe për të gjithë Mitrovicën dhe për klubin Trepça. Për tifozët, unë e di që do të jetë përkrahja maksimale, por edhe le të jetë një anim korrekt dhe të festojmë së bashku të enjten”, theksoi Selmani.
Ndërsa, njeriu kryesor i Trepçës në katër ballafaqimet me Pejën, Drilon Hajrizi, ka thënë për KosovaPress se Trepça e ka dëshmuar tashmë që është skuadra më e mirë në ligë. Ai premton maksimumin e tij gjatë një ore lojë ndaj Pejës.
“Normal të gjitha gjërat çojnë që ne të jemi kampion, kemi shikueshmërinë më të mirë, ata janë përkrahësit tonë më të mirë, kemi ekipen më të mirë në ligë kështu që shpresoj edhe fati të jetë me ne dhe në fund të dalim ne kampion… Unë shpresoj që do ta jap maksimumin deri në momentin e fundit, nuk do të ndalem për t’i ndihmuar ekipes. Shpresoj që të kem fat dhe ta arrijë lojën time ashtu si kam arritur deri tani”, ka thënë Hajrizi.
Sfida e pestë që zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:00 në “Minatori” vjen pas barazimit 2-2 në seri mes Trepçes dhe Pejës.