Gara atraktive në disiplinën malore “Kruja 2021”, e cila njihet me emrin “Scanderbeg Trophy”, mbahet në këtë fundjavë dhe ka zgjuar interesim të madh për pjesëmarrje, e sigurisht i tillë do të jetë edhe interesimi i dashamirëve të kësaj disipline.
Numri më i madh i pjesëmarrësve do të jetë nga Kosova, të cilët tradicionalisht e kanë pritur me padurim garën në Krujë.
Përveç tyre dhe garuesve nga Shqipëria, pjesëmarrës do të ketë edhe nga Polonia, Hungaria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Duke marrë parasysh se gara ka poentohet për Kampionatin e Kosovës, por edhe për FIA CEZ (Zona e Evropës Qendrore), atëherë rëndësia e garës është e dyfishtë dhe garuesit tanë do ta japin maksimumin.
Hungarezi Laszlo Szasz, polakët Karol Duda e Grzegorz Duda, italiani Giancarlo Prima, në Krujë kanë udhëtuar me ambicie të mëdha, por kjo nuk do të thotë se garuesit tanë, Bardhyl Canolli, Gazmend Demolli, Ernest Daka e të tjerët nuk synojnë të rrëmbejnë trofeun e të parit.
Rivaliteti do të jetë i madh, ndërsa organizatorët i kanë bërë përgatitjet e duhura për një garë me rrjedhë sa më të mirë.