Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi ka konfirmuar se sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani ka pësuar një lëndim të rëndë mbrëmë dhe do t’i nënshtrohet operimit.
Rrahmani pësoi lëndim mbrëmë në fitoren 3:0 të Kosovës ndaj Andorrës, ku menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella.
Pas ekzaminimeve, ka rezultuar se Rrahmani ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë, dhe do t’i nënshtrohet operimit.
“Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare. FFK është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm”, shkruan në komunikatën e FFK-së.