Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi beson se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, do të dalë brenda 48 orëve. Sipas tij, sistemi elektronik që e kanë përdorur në këto zgjedhje e që ka qenë risi, është i sigurt për të ruajtur integritetin dhe fshehtësinë e votimit.
Mëngjesin e sotëm janë shpallur rezultatet zyrtare për KZAZ 40 në kryeqytet, aty ku përkon me Njësinë 10. Në këtë KZAZ, numërimi është bërë në formë elektronike, si një nga risitë e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri. Në 32 qendrat e votimit të KZAZ 40 në kryeqytet, Partia Socialiste ka fituar me 6007 vota, përkundër PD-së me 4550 vota dhe LSI me 628 vota. Bojken Abazi i pavarur 179 vota.
Celibashi thotë se disa KZAZ kanë raportuar disa probleme për mënyrën se si po zhvillohet procesi i votimit, derisa ua tërhoqi vërejtjen komisionerëve duke iu thënë se historitë e komisionerëve të sëmurë dhe të lodhur duhet të marrin fund.
“Ka disa probleme të raportuara në disa KZAZ mbi mënyrën e si anëtarët e grupit të numërimit po e zhvillojnë procesin e numërimit të fletëve të votimit, janë sporadike si raste por meritojnë të kenë vëmendjen e përfaqësuesve të partive politike në mënyrë të posaccme të lidershipit përkatës pasi raste kur komisioneri është lodhur do bëjë 1-2 orë pushim unë mendoj që janë tregues së mungesës së vullnetit për të përmbushur detyrimet ligjore në raport me nxjerrjen e rezultateve. Partitë politike duhet të kenë marr masa nëse komisionerët e tyre anëtarët e grupit të numërimit lodhen të kenë gati grupet tjera të numërimit, KQZ ka marr masa që trajnoj në mënyrë të menjëhershme edhe nëse nuk e kanë bërë trajtimin, por historitë e skenat me komisionerë të sëmurë apo lodhur besoj që duhet të marrin fund dhe ajo parti që i bënë këto është diskredituese për partinë“, theksoi ai.
Celibashi thotë se sistemi elektronik i aplikuar është 100% i sigurt në kuptim të ruajtjes së integritetit dhe fshehtësisë së votimit.
“Sistemi elektronik i aplikuar është 100% i sigurt në kuptim të ruajtjes së integritetit dhe fshehtësisë së votimit kjo është e padiskutueshme…Ne jemi të gjithë dëshmitar se që për mënyrën se si komisionet zgjedhore janë të përbëra partitë politike kanë një ndikim shumë të madh në veprimtarinë e tyre dhe në ushtrimin e përgjegjësve të këtyre komisionerëve, por të paktën nga raportimet që ka KQZ-ja rezulton që në pikëpamje të administrimit zgjedhor ka pasur disa përmirësime sinitikative kemi pasur jo një përmbushje të mirë nga ana e tyre sa i përket raportimit në lidhje me pjesëmarrje por besoj që pajisja që kemi përdorur edhe pse në kohë reale nuk e ofron mundësinë sepse të dhënat janë aty për të pasur më shpejt se herët të tjera rezultatin mbi pjesëmarrjen në votime”, tha ai.
Lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, Celibashi tha se shifra që janë raportuar dje deri në 23:00, bazohej në të dhënat që kanë paraqitur në KQZ nëpërmjet sistemit aplikativ.
“Shifra që kemi raportuar të paktën deri dje deri në orën 11:00 të mesnatës bazohej në të dhënat që kanë paraqitur në KQZ nëpërmjet sistemit aplikativ ose komisionerët anëtar e qendrave të votimit, kjo mënyrë e paraqitjes së të dhënave ose të informacion ka përfunduar që në orën 19:00 kur janë mbyllur qendrat e votimit dhe tani ne të dhënat i marrim gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit çdo e dhënë që pasqyrohet tani është e dhëna zyrtare në lidhje me pjesëmarrje në votim në ditën e djeshme pasi anëtarë e numërimit apo KZAZ kanë tabelën përmbyllëse të votimit për çdo qendër votimi”, u shpreh ai.
Qytetarët e Shqipërisë dje kanë votuar për zgjedhjet parlamentare.