Ka përfunduar sot projekti i Bashkëpunimit Civil dhe Ushtarak (CIMIC) në të cilin ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) kryen restaurimin e monumentit të NATO-s në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në këtë ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John Boziecevic, komandanti i RC-W kolonel Marco Javarone dhe kryetari i komunës, Shaqir Totaj.
Pas një thirrjeje të përzemërt të kryetarit të komunës drejtuar Kol. Javarone me rastin e vizitës së tij të mëparshme në komunë, kontingjenti kombëtar vazhdoi me kryerjen e disa punimeve të mirëmbajtjes që përfshinë të gjithë zonën e monumentit dhe gjithashtu blerjen dhe zëvendësimin e flamujve të konsumuar dhe të vjetëruar.
Në fund të ceremonisë, kryetari Totaj shprehu mirënjohjen e thellë dhe të sinqertë për ndërhyrjen e kryer e cila i riktheu shkëlqimin një monumenti të ngritur dhe inauguruar në vitin 2010 për të falënderuar anëtarët e Traktatit të Atlantikut të Veriut për kontributin e tyre për çlirim dhe për ruajtjen e paqes në Kosovë.
Kontingjenti italian i misionit të KFOR-it, me përfundimin e projekteve të tij të bashkëpunimit civilo-ushtarak, do të vazhdojë të sigurojë përmbushjen e detyrës së misionit sipas diktateve të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i me donacionet e tij si rezultat i projekteve të bashkëpunimit civilo-ushtarak, është pjesë aktive e përpjekjeve të përgjithshme të NATO-s për të mbështetur institucionet dhe komunitetet e Kosovës: në vitin 2021 Komanda e KFOR-it në Prishtinë zhvilloi 26 projekte CIMIC.
Edhe gjatë vitit 2022, KFOR-i do të vazhdojë të promovojë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore, përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC, dhe do të mbështesë, në të gjithë rajonin e Kosovës, çdo iniciativë që mund t’u garantojë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, në përputhje me parimet e rezolutës 1244 të OKB-së të vitit 1999.