Mikaile Tmusic nuk do të jetë në listën e trajnerit Rami Hadar për ndeshjen që Kosova do ta zhvillojë të mërkurën në kuadër të kualifikimeve për në Eurobasket 2025.
Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës Adriatik Raci, ka të ditur se basketbollisti Mikaile Tmusic nuk do të jetë pjesë e Kosovës për shkak të disa problemeve familjare.
“Tmusiç ka qenë ka qenë i ftuar që nga fillimi, përgatitjet i kemi filluar para datës 1 (korrik), do të thotë procedurat e pajisjes me viza e të gjitha ato ai ka qenë i pranishëm mirëpo dy ditë para fillimit të përgatitjeve Tmusiç ka një problem për një kohë të gjatë familjar dhe me lejen tonë pasi që edhe trajneri ka biseduar me të, kemi vendosur që ta lirojmë. Ai nuk do të jetë pjesë e jona në këtë FIBA Window”, tha Raci.
Përveç Zvicrës, Kosova në këtë kampanjë kualifikuese do të ballafaqohet edhe me Danimarkën.