Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez e etiketoi Cristiano Ronaldon me nofkën “idiot” dhe “njeri i sëmurë”, ndërsa e kritikoi ashpër trajneri Jose Mourinho për egon e madhe të tij në vitin 2012, derisa po vazhdojnë të publikohen biseda të shumta të presidentit të Real Madridit ku dëgjhet duke kritikuar dhe ofenduar figurat kryesore të klubit në atë kohë.
Njëzet e katër orë pasi u publikua audio ku ai i quante Raulin dhe Iker Casillasin si “dy dështimet më të mëdha” të Real Madridit, tani në audiot e publikuara së fundi Perez dëgjohet duke kritikuar ashpër dyshen portugeze Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho.
“Ai është i çmendur”, citohet të ketë thënë Perez për Ronaldon.
“Ky djalë është një idiot, një njeri i sëmurë. Ju mendoni se ky djalë është normal, por ai nuk është normal, përndryshe, ai nuk do të bënte të gjitha gjërat që bën”, shton numri një i “Los Blancos”.
Nga ana tjetër, Mourinho, i cili ka thënë më parë se ka një marrëdhënie të ngushtë me Perezin, ishte trajner në Real midis viteve 2010 dhe 2013 dhe me sa duket një vit para se t’i tregohej dera, Perez ishte i mllefosur me të.
“Këta janë njerëz me një ego të tmerrshme, të dy të prishur, trajneri dhe ai, dhe ata nuk e shohin realitetin,” u citua duke thënë presidenti.
Mourinho arriti të thyejë dominimin e Pep Guardiolas me Barcelonën duke fituar një titull në LaLiga.