Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë publikuar informacionet që i posedonin edhe pse ishin të vetëdijshëm që dosjet mund të jenë të vërteta.
Prokurorja Valeria Bolici ka paraqitur edhe video nga deklarimet e mëparshme të Gucatit dhe Haradinajt në media, si dhe nga përgjigjet e tyre në sallën e gjyqit, në të cilat ata shprehin kundërshtimin e tyre për gjykatën.
“Provat tregojnë më tej që të akuzuarit jo vetëm i kanë thënë dëshmitarëve që identiteti i tyre ishte i njohur por në të njëjtën kohë që deklaronin që të dhënat e dëshmitarëve do të bëheshin publike, Haradinaj dhe Gucati kanë akuzuar dëshmitarët se janë spiunë, tradhtarë, bashkëpunëtorë, kolaboracionistë kriminelë, thithës gjaku dhe folës shqiptarë. Në momente të ndryshme gjatë këtij procesi të akuzuarit janë munduar që të ulin kuptimin e fjalëve apo akuzave të tilla, megjithatë fuqia kërcënuese e fjalëve të tyre dhe interpretimi i kuptimit të tyre shpjegohet në fakt në shumë momente të rëndësishme nga vet të akuzuarit”, ka thënë prokurorja Bolici.
Sipas saj, të akuzuarit në mënyrë të qëllimshme e kanë publikuar informacionin që dikush e kishte dërguar në zyrat e OVL-UÇK.
“Të akuzuarit e dinin se informacioni që kishin në posedim, përfshirë informacionin që ishte dhënë nga dëshmitarët autorëve të prokurorisë, mund të kenë qenë të vërteta, dhe kishin qëllim të merrnin hak kundër këtyre dëshmitarëve që dhanë informacion të vërtetë, si të tillë jo vetëm sjellja kriminale por edhe qëllimi kriminal i të akuzuarve është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm në këtë gjykim”, ka thënë ajo.
Në deklaratën përmbyllëse, prokurori nga ZPS, ka thënë se nuk ka prova që dikush nga kjo zyrë i ka përcjellur zyrtarët e OVL-UÇK.
“ZPS nuk ka kërkuar dënime alternative në këtë rast ne po kërkojmë vendime fajësie përmbledhëse për krimet e kryera në përputhje me elementet e materialitetit, dhe mbrojtja e Gucatit pajtohet se është zbatuar standardi i duhur në paragrafin 137. Ne kërkojmë konstatime për të gjitha format e përgjegjësisë alternative por vendimi i fajësisë do të jepet vetëm për një prej tyre. Pra duhet të shprehet e gjithë gama e fajësisë. Pra kur thotë mbrojtja e Gucatit se pika 2 është një formë e rënduar e pikës një apo që është dytësore ndaj pikës 1 siç e thonë në paragrafin 30 dhe 146 të dosjes së tyre, ata i keq-zbatojnë standardin e elementeve të veçantë, që kanë rëndësinë e materialit të veçantë. Dhe trupi gjykues mund të jap vendime fajësisë për të dyja”, ka thënë prokurori.
Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka ndonjë provë që dikush nga ZPS i ka dërguar apo ka bashkëpunuar për dërgimin e dosjeve në zyrën e OVL-UÇK.
“Të akuzuarit nuk janë duke u gjykuar për ushtrimin e të drejtës së lirisë së fjalës siç thuhet në paragrafin 58 të dosjes së Haradinajt, ata janë këtu në gjyq për pengesën e procedurave gjyqësore, frikësimin e dëhsmitarëve dhe dhunimin e sekretit të procedurave, ky nuk është një sulmim i tyre për shkak se janë kritik të DhSK-së. DhSK ka mjaft kritika dhe njerëzit që nuk janë dakord me të por këtu bëhet fjalë për atë carë kanë bërë të akuzuarit dhe cfarë kanë thënë kjo është arsyeja pse ata kanë ardhur këtu në këtë gjykatë”, ka thënë përfaqësuesi i ZPS-së.
Seanca në Hagë po vazhdon me deklaratën përmbyllëse të prokurorisë ndërsa Gucati e Haradinaj janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.