Ashtu si viti 2020 që ishte i vështirë për botën e futbollit për shkak të pandemisë Covid-19, njëjtë po del të jetë edhe viti 2021.
Së paku për gjigantin anglez Liverpool, pasi që është duke pasur probleme të futet në Gjermani për të zhvilluar ndeshjen e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve kundër RB Leipzig.
Mediat gjermane kanë raportuar pak çaste më parë se Liverpooli ka bërë një kërkesë speciale për t’u futur në Gjermani për zhvillimin e ndeshjes së parë me klubin gjerman.
Por kjo kërkesë e kampionëve në fuqi të Premier Ligës është refuzuar nga shteti gjerman, pasi që e ka futur Britaninë e Madhe në zonën e kuqe, për shkak të numrit të madh të rasteve me variantin e ri të Covid-19.
Opsioni i parë është që ndeshja e parë të zhvillohet në “Anfield”, por që kjo është refuzuar nga Liverpooli.
Si opsion i dytë është që ndeshja mes Leipzig dhe Liverpool të luhet në St. Petersburg të Rusisë ose Budapest të Hungarisë, vende këto që kanë më pak raste me COVID-19.
Dy klubet janë në kontakt të vazhdueshëm me shtëpinë e futbollit evropian UEFA-n dhe dy federatat angleze dhe gjermane për ta gjetur opsionin më të mirë, që kjo përballje të zhvillohet.