Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u prezantua romani “Dita e Re”, e Nikos Chrysos. “Dita e Re” është një roman polifonik që tregon aventurat e një shoqërie të pastrehë.
Autori i romanit, Nikos Chyrsos, i cili po qëndron për herë të parë në Prishtinë u shpreh i lumtur që prezantoi romanin në Bibliotekën Kombëtare duke theksuar se heronjtë e librit janë edhe bartës të rrëfimeve.
“Prandaj për librin “Dita e Re”, biblioteka është një vend vërtet i përshtatshëm, para së gjithash sepse heronjtë e librit janë bartës të rrëfimeve, rrëfimeve që ruajnë kujtesën, rindërtojnë realitetin dhe së fundi ri-interpretojnë jetën, ashtu si bëjnë librat. Heronjtë e ‘Ditës së Re’ janë në këtë kuptim, libra të gjallë dhe për këtë arsye vendi i tyre natyror është biblioteka. Por lidhjet nuk ndalen këtu”, tha ai.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, Chryssoula Aliferi tha se aturoti nëpërmjet “Dita e Re” synon që të fuqizojë raportet kulturore e arsimore mes Kosovës dhe Greqisë.
“Sot jemi të lumtur që e mirëpresim Nikos Chrysos sot në Prishtinë për të prezantuar librin e tij, dhe në të njëjtën kohë, të ndihmojmë librin ‘Ditë e Re’ në të vërtetë që të jetë dhe t’i fuqizojë raportet kulturore dhe arsimore mes Greqisë dhe Kosovës”, tha ajo.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci tregon për raportin e Kosovës me Greqinë. Madje ajo shprehet se ky organizim është i pari, por nuk do të jetë edhe i fundit. Ngavci u shpreh edhe se populli i Kosovës ndjenë një afërsi të veçantë me popujt grek, me të cilët siç tha ajo përveç që ndahet e njëjta hapësirë gjeografike, ndahet edhe historia e përbashkët dhe ngjashmëria kulturore.
“Jam shumë e lumtur që marrëdhëniet edhe politike në mes të dy vendeve tona Kosovës dhe Greqisë janë shtuar dukshëm kohëve të fundit dhe besoj që ky organizim i sotëm është vetëm një dimension i ri i bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Arsimit me Zyrën Ndërlidhëse Greke dhe se një ‘Ditë e Re’ do të jetë edhe një kapitull i ri në mes të bashkëpunimit jo vetëm të institucioneve por të Republikës së Kosovës dhe shteti Grek”, u shpreh Nagavci.